Dikur libri ka qenë për njerëzit ndër mënyrat më kryesore të informimit dhe argëtimit, shkruan OnAir.
Me avancimin gjithnjë e më të vrullshëm të teknologjisë dhe rrjeteve sociale, roli i librit ka pësuar ulje të ndjeshme. Kjo gjë pasqyrohet edhe në numrin gjithnjë e më të vogël të lexuesve kudo në botë.
Nisur nga kjo situatë, vende dhe kompani të ndryshme kanë marrë nisma që të inkurajojnë gjithnjë e më shumë njerëzit për të lexuar më shumë. Një nismë e tillë është edhe ajo e ndërmarrë nga kompania e ndërtimit në Itali “Vanoncini Edilizia Sostenibile S.P.A”. Kjo kompani ka krijuar grupin e vetë të leximit dhe i paguan personat që lexojnë nga 100 euro për çdo libër të lexuar.
Ideja e kësaj nisme ka ardhur nga Danilo Dadda, i cili është CEO i kësaj kompanie. Ai është shprehur se shpesh herë lodhja dhe përtesa janë ndër arsyet se përse njerëzit e shmangin leximin e rregullt.
Duket se ky projekt është pritur mjaft mirë nga 80 punëtorët e kësaj kompanie. Ata përzgjedhin libra të autorëve si Dostojevski dhe Duma. Në fund të leximit ata shkruajnë një prezantim në letër rreth librit të lexuar dhe këto prezantime shqyrtohen në mbledhje dy mujorshe që mbahen nga bordi drejtues. Për çdo libër të lexuar përfitohet 100 euro.