Tatuazhet të cilat kanë ekzistuar që në kohët e antikitetit, duken se janë ndër të paktat elementë të cilat nuk largohen kurrë nga moda. E vetmja gjë që ndryshon janë llojet e dizajneve të cilat ndryshojnë në bazë të shijeve të masës. Për të folur më shumë rreth tyre në “Studio A” ishin të ftuar Vita Koshutova tattoo artist, Lekë Shehu pasionant i tatuve dhe Faton Ademi fotograf profesional, shkruan OnAir.
Gjatë kësaj bisede në studio u diskutuan shumë tema të ndryshme rreth çështjeve të cilat prekin pikërisht këta persona që kanë tattoo. Një ndër elementet ku kjo bisedë u fokusua ishin edhe jetesa me tattoo duke konsideruar faktin që ende shumë persona i shohin me një sy kritik persona që kanë tatuazhe. Protagonistët u shprehën se tashmë zgjedhin ti injorojnë komentet negative duke theksuar se tatuazhet duhen pranuar më shumë si një formë arti sesa tregues të personalitetit të një personi.
Të ftuarit ndanë me shikuesit edhe disa detaje më tepër rreth jetës së tyre personale dhe profesionale. Gjithashtu dhanë edhe disa këshilla mjaft të vlefshme për këdo që është i interesuar të bëjë tatuazhin e parë ose të disatë.