Traditat mjaft të vjetra të kombit tonë duken se po shuhen me kalimin e kohës, por duket se ka ende individë të ndryshëm të cilët i ruajnë elementë të veçantë të tyre, shkruan OnAir.
I tillë është edhe rasti i Arben Kola, një i ri nga Kukësi, por që prej kohësh jeton në Tiranë. Ai njihet si një nga personat që organizon guidat më të veçanta për turistët e ndryshëm. Një tjetër veçori e tij është që ai gjithnjë shfaqet duke mbajtur plisin.
Në një lidhje direkte me emisionin “Studio A” ai tregon se ka filluar ta mbajë këtë element të veshjeve tradicionale në momentin kur skuadra e futbollit e Shqipërisë u kualifikua në kampionatin europian. Që prej asaj kohe ai e vesh gjithnjë në çdo dalje të tijën, qoftë për punë, por edhe në jetën e përditshme. Një nga rastet më të veçanta kur ai e ka mbajtur plisin ka qenë edhe në “Parlamentin Europian”.
Kola tregon se në fillim është përballur me skepticizmin e njerëzve të ndryshëm të cilët i thonin të mos e mbante plisin, kjo dhe për shkak të moshës së tij të re. Tashmë plisi është kthyer në një nga elementet që e dallon atë si individ.
Përveç turizmit, Kola angazhohet në mënyrë vullnetare edhe me mbrojtjen e mjedisit, ku ka marrë pjesë në aktivitete të shumta për këtë çështje. Ai u bën thirrje gjithashtu të gjithë qytetarëve që të kujdesen për natyrën dhe të mos e dëmtojnë.
Për më shumë klikoni në videon më poshtë: