Së fundmi është bërë e ditur që së shpejti do të miratohet ligji për konfiskimin e pasurive të pajustifikueshme, shkruan OnAir.
Ky ligj njihet ndryshe si “ligji anti-mafia”. Për të dhënë disa shpjegime më tepër rreth këtij ligji, në studion e emisionit “A23” ishte i ftuar avokati i njohur, Tomë Gashi.
Gashi u shpreh se kjo është koha e duhur për miratimin e një ligji të tillë. Sipas tij, pas periudhës së luftës janë bërë abuzime të llojeve të ndryshme, ku ndër më të rëndat është vjedhja permanente e buxhetit të shtetit të Kosovës. Nisur nga ky fakt, “Ministria e Drejtësisë” nën drejtimin e qeverisë Kurti ka dërguar një propozim për miratimin e një ligji të tillë.
Më tej ai vijoi të shpjegonte se si parashikohet që ky ligj të funksionojë. Ai u shpreh se personave të dyshuar do tu analizohet pasuria nga një komision i posatshëm. Nëse kjo pasuri nuk mund të justifikohet, atëherë do të bëhet konfiskimi i saj.
Gashi gjithashtu tregoi se tashmë ekziston një draft publik i këtij ligji ku të gjithë mund të informohen rreth përmbajtjes së tij.