Parlamenti Evropian votoi me shumicë votash rekomandimin e Komitetit për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian Tanja Fajon, gjatë prezantimit të rekomandimit tha se qytetarët e Kosovës e meritojnë votën pro, pasi institucionet e Kosovës i kanë përmbushur gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Ajo tha se sot votohet për mandatin e dialogut tripalësh mes Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit të Ministrave.
E reagime për vendimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Parlamenti Evropian, patën edhe shumë liderë institucional.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se votimi në Parlamentin Evropian pro liberalizimit të vizave për Kosovën është një mesazh i qartë edhe për institucionet e tjera vendimmarrëse në Bashkimin Evropian.
Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se qytetarët e Kosovës së shpejti do të lëvizin lirshëm, pa viza.