Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka nxjerr një dokument me një përmbledhje të rrjedhës së ngjarjeve rreth largimit të pjesëtarëve serbë nga Forca për Sigurinë e Kosovës.
Sipas rezultateve të hulumtimit të QKSS-së, plani për largimin e mbi 60 pjesëtarëve serb është bërë si pjesë e një operacioni të mirë-planifikuar psikologjiko-ushtarak, i orkestruar nga elemente të inteligjencës ushtarake nga Beogradi dhe Vranja.
QKSS ka dalë me disa rekomandime me qëllim që të njëjtat t’i shërbejnë krijimit të qëndrueshmërisë në procesin e integrimit të komunitetit serb në FSK. Sipas QKSS-së, Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me praninë ndërkombëtare në Kosovë duhet të bëjnë plan për të parandaluar largimin tutje të pjesëtarëve të FSK-së, dhe shtetet e Quint-it duhet të kushtëzojnë Serbinë në kontekst të integrimit në BE lidhur me veprimtarinë e saj të vazhdueshme në dëm të FSK-së dhe institucioneve të tjera.
Gjithashtu, QKSS rekomandon Qeverinë e Kosovës të fokusohet në një proces të tranzicionit të FSK-së nëpërmjet ndryshimeve të ligjit, meqë sipas QKSS tani janë humbur shpresat se procesi i ndryshimeve kushtetuese mund të jetësohet.