Më 12 tetor të vitit 1998 Fatë Qelaj u bë me vajzë, të cilën e pagëzoi me emrin Dafina. Por, ajo e gëzoi jetën me vajzën e saj vetëm për gjashtë muaj, pasi Dafinën më 28 mars 1999 e vranë dhe e masakruan forcat kriminale serbe.
Dafina është në mesin e 147 viktimave që u vranë e u masakruan në masakrën e Izbicës 20 vjet më parë.Përveç që u masakrua duke qenë vetëm gjashtë muajsh, Dafinën, pasi familjarët e varrosin, serbët e zhvarrosën duke e dërguar në varrezat masive në Petrovo Sello të Serbisë, eshtrat e të cilës janë gjetur në vitin 2017.
Nëna Fata sot pas 20 vjetësh vazhdon të kërkojë drejtësi që mizorisht e ndanë nga vajza gjashtë muajsh, por thotë se dhimbja i është pakësuar kur ka gjetur eshtrat e saj. E ëma e Dafinës kujton se ditën kur i është vrarë e bija ka qenë ditë e festës së Bajramit, por që thotë se u kthye në një dhimbje të madhe.
Sot Fata ka vetëm një dëshirë, që drejtësia të mos e humb gjakun e vajzës së saj. Nga familja Qelaj, u vra edhe Rexhë Qelaj, ku sot 20 vjet pas, djali i tij Ganiu rrëfen se si i kishin gjetur të masakruarit në Izbicë. Ai tregon se për dy ditë rresht kishin varrosur të masakruarit, por ai thotë se serbët bënë krimin e dytë, duke i zhvarrosur kufomat e duke i dërguar nëpër varreza masive.
Qelaj thotë se drejtësia do të ishte dashur të vijë për familjarët e të masakruarve, ku ai thotë se dihen me emër e me mbiemër se kush e ka kryer masakrën në Izbicë.
Teksa qëndron pranë varrit të Halit Ramaj, ajo thotë se të paktën serbët duhet të kërkojnë falje për të gjitha krimet që i kanë bërë në Kosovë.
Edhe Shehide Fetahaj, qëndron pranë varrit të vëllait Halit Boja, i cili u vra 20 vjet më parë së bashku me të dy djemtë e tij. E motra, sot ka veç një dëshirë që drejtësia të merret me ata që ia vranë një pjesë të familjes.
Ndryshe, 20 vjet më parë, më 28 mars 1999, ka ndodhur masakra e Izbicës, ku nga forcat policore e ushtarake të armikut u vranë 147 shqiptarë. Pas masakrës, kufomat e të vrarëve, i varrosen fshatarët e kësaj ane në fshatin Izbicë, por forcat serbe i zhvarrosën duke i dërguar në lokacione të ndryshme në Kosovë e Serbi./KOSOVAPRESS