Policia e Kosovës thotë se realizoi me sukses planin operativ për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, që kishte për qëllim ofrimin e sigurisë si dhe mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Pjesë e planit policor ka qenë edhe inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, që sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
Referuar informacioneve zyrtare janë evidentuar disa raste të natyrave të ndryshme të cilat kanë rezultuar me arrestimin e 29 personave që ndërlidhen me rastet e procesit zgjedhor, ku prej tyre 23 persona janë ndaluar me vendim të Prokurorëve kompetent të Prokurorisë së Shtetit.