Qendra Kosovare për Studime Gjinore së bashku me shtatë organizata të tjera kanë filluar një projekt për t’iu dalë në ndihmë grave që e kanë humbur vendin e punës gjatë kohës së pandemisë.
Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e QKSS-së në rubrikën Sytë 7 në emisionin e mëngjesit në Klan Kosova ka dhënë detaje se si gratë mund të përfitojnë nga kjo ndihmë.
Demolli tha se gratë përfituese do të jenë ato gra që kanë punuar si dado e fëmijëve, janë kujdesur për personat e moshuar, apo kanë bërë pastrimin e shtëpive pa kontratë të punës.
Sipas saj pagesa do të jetë në shumën e pagës minimale.
“Do të përkrahen ato që kanë qenë të afektuar në këtë periudhë kohore dhe i kanë humbur vendet e tyre të punës. Po flasim për kategoritë që kanë punuar në sektorin e kujdesit për personat e moshuar, kujdesit të fëmijëve, apo pastrimin e shtëpive pa kontrata pune, që në njëfar forme me ato para e kanë mbajtur vetën”.
“Ne jemi mbledhur si organizata dhe konsiderojmë që edhe kjo kategori duhet të përfshihet në Pakon Emergjente të Rimëkëmbjes”.