Para disa kohësh Dafina Zeqiri bëri të ditur që së shpejti ajo do të lansojë një këngë të re të quajtur “Duro” e cila në fokus do të ketë pikërisht shëndetin mendor, shkruan OnAir.
Ndonëse një nga emrat më të njohur dhe të suksesshëm në estradë, Dafina gjithnjë ndan me ndjekësit e saj detaje rreth jetës së saj. Kjo gjë ka ndikuar edhe në lidhjen e ngushtë që ajo ka me fansat e saj. Disa kohë më parë ajo tregoi që edhe ajo vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe për këtë konsultohet me specialistë të kësaj fushe. Që prej kësaj kohe, ajo e ka përdorur platformën e saj për të edukuar dhe informuar njerëzit dhe gjithashtu për të luftuar stigmën që ekziston rreth problemeve të shëndetit mendor.
Problemet e saj ajo i ka përdorur si inspirim edhe për projektin e saj më të ri që pritet të vijë në treg shumë shpejt.
Para dy ditësh ajo ka ndarë në profilin e saj videon live të realizuar në bashkëpunim me Elvira Haxhiaga, një terapiste mjaft e njohur që operon në Europë dhe në trevat shqiptare. Në këtë video janë diskutuar tema të ndryshme rreth shëndetit mendor si edhe disa këshilla për të gjithë. Reagimi i publikut ka qënë mjaft pozitiv duke e uruar këngëtaren që po hap tema të tilla për diskutim.
Deri në momentin që kënga “Duro” do të jetë e gatshme për publikun, na mbetet vetëm të presim dhe të kujdesemi për veten në të gjitha aspektet.