Të gjithë jemi të njohur me rëndësinë që ka muaji i Ramazanit për besimtarët muslimanë, shkruan OnAir.
Agjërimi si ritual më vete ka një historik mjaft të lashtë. Këtë gjë e pohon edhe Fahrush Rexhepi, i cili ishte i ftuar në studion e emisionit “Libero”. Ai tregon se agjërimi si ritual daton që nga kohët e grekëve dhe romakëve të lashtë. Gjithashtu edhe popujt e lashtë të lindjes kanë agjëruar si egjiptianët dhe babilonasit. Sipas tij, kjo histori e lashtë e agjërimit dëshmon rëndësinë dhe domethënien që ka.
Më tej Rexhepi shprehet se në islam është bërë një transformim dhe rinovim i mënyrës së agjërimit. Gjithashtu ai tregon se agjërimi është një nga 5 shtyllat e kësaj feje.
Rexhepi gjithashtu shpjegon edhe rëndësinë e muajit të Ramazanit. Ai tregon se pikërisht gjatë këtij muaji filloi zbritja e librit të shenjtë Kuran dhe filloi vendosja e komunikimit dhe lidhjes mes qiellit dhe tokës.