Bujqësia është një nga sektorët ekonomikë që premton më shumë të ardhura jo vetëm për vendin, por edhe për ekonominë vetjake të banorëve. Këtë si duket, e ka kuptuar edhe qeveria e Kosovës, gjë që tregohet nga investimet e shumta që janë bërë në këtë fushë, shkruan OnAir.
Një prej këtyre investimeve është edhe ndërtimi i disa stallave me kushte mjaft të mira dhe moderne, por shumë prej tyre janë të braktisur. Një prej këtyre rasteve është në fshatin Sallagrazhdë në komunën e Suharekës. Këtu jo vetëm që stalla nuk është funksionale, por edhe pronari, sipas banorëve, ka kohë që nuk ndodhet në këtë zonë.
Në një prononcim për “ATV” kryetari i sindikatës së bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri shprehet se instancat përkatëse duhet të bëjnë punën e tyre për identifikimin e bujqve që me të vërtetë kanë nevojë për këtë ndihmë të qeverisë. Ndonëse në vitet 2010 deri në 2018 miliona euro janë përdorur për investime dhe ndihma të ndryshme nga qeveria për të përmirësuar këtë sektor, ende ka shumë bujq të cilët punojnë në kushte të mjerueshme. Kjo gjë ka ardhur si pasojë e manipulimeve të shumta në sistemet e përzgjedhjes së përfituesve të këtyre ndihmave.