Një person ka gjuajtur me kallashnikov gjatë një përleshje me disa persona në Prizren. Policia ka sekuestruar armën dhe gëzhojat, ndërsa me rastin po merret Prokuroria.
Rreth orës 12:00 një qytetar e ka informuar policinë e Stacionit Policor “Veriu” në Lubizhdë, se në Lagjen “Dardania” disa burra po rriheshin dhe njëri prej tyre kishte një armë në dorë.
Pas hetimeve fillestare bëhet e ditur se dy të dyshuar, të panjohur për policinë, kishin shkuar në një punëtori ku përpunohet metali dhe kishin kërkuar që ta lakonin një gyp.
Dyshohet se nuk kanë rënë në ujdi rreth pagesës për punën e kryer dhe rasti ka dalë jashtë kontrolli duke kaluar në rrahje.
Gjatë përleshjes njëri nga punëtorët ka shkrepur disa fishekë nga arma kallashnikov e cila është gjetur e hedhur jashtë oborrit të punëtorisë.
Përpos armës AK 47 i prodhimit jugosllav, janë sekuestruar edhe 22 fishekë dhe katër gëzhoja të gjetura në vendin e ngjarjes, bën të ditur zëdhënësi i policisë rajonale kapiten Hazir Berisha.
Për të gjitha këto është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që të vazhdohet me hetimin e rastit, ndërsa provat materiale dhe shkresat e lëndës t’i kalojnë prokurorisë për procedura të mëtejme. Ndërkaq në polici është shoqëruar personi që përdori armën.