Presidenti Hashim Thaçi ka ripërsëritur akuzat e tij për ish-kryeministrin Albin Kurti, ish-zëvendëskryeministrin Haki Abazi dhe ish-ushtruesin e detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla për të cilët tha se janë futur brenda dhe kanë ndërhyrë në Dhomën e Përgjimeve në PTK.
“Nuk dëshiroj që të interferoj dhe të jap opinione të mëtutjeshme që të mos merret si lloj presioni ndaj organeve të drejtësisë. Unë kam deklaruar dhe vetëm sa e përforcoj qëndrimin tim, sepse ka qenë i saktë, i qartë, institucional dhe shtetëror – dhe është cenuar siguria kombëtare nga ky ekip”.
Ai në Rubikon të Klan Kosovës nuk është tërhequr as nga cilësimi “Grupi i Kurtit” që e ka bërë për ish-kryeministrin Albin Kurti dhe ish-ministrat e partisë së tij.
“Nuk kanë funksionuar me rregullat dhe kornizat institucionale, kushtetuese dhe ligjore. Kanë funksionuar si grup shoqëror jashtë rregullës dhe funksionimit të institucioneve. Institucionet janë keqpërdorur dhe kanë qenë instrumentalizim për aspiratat e tyre ideologjike. Mbetet që të ballafaqohen dhe të sqarohen me organet përkatëse të drejtësisë dhe jo me mua”.