Qeriqi që ka qenë edhe vet luftëtar i UÇK-së, thotë se betimi i tyre si ushtar ka qenë bashkimi i trojeve shqiptare, por që kjo nuk ka ndodhur. E tash shprehet skeptik që shteti serb do të pranonte që Kosovës t’i dhuronte Luginën e Preshevës përmes korrigjimit të kufirit.
“I kemi përcjellë ngjarjet e fundit edhe deklarimet e presidentit për ne kanë qenë të paqarta për arsye se ka pasur reagime të shumta nga ana e tij. Mendoj se ideja e shkëmbimit të territoreve është shumë e rrezikshme, sidomos për Kosovën, për arsye se ne të gjithë jemi dëshmitar, e dimë se nga këto bisedime deri më sot që janë zhvilluar me Serbinë, ne nuk kemi përfituar asgjë. Pra, është një ide e rrezikshme, ne jemi njohur nga shumë shtete me këtë territor, kështu që çdo iniciativë në këtë drejtim është shumë e rrezikshme për qytetarët dhe të ardhmen e Kosovës”, ka thënë ai.
Qeriqi në një intervistë për KosovaPress ka thënë se si luftëtarë e shohin të rrezikshme që me Serbinë të diskutohen kufijtë e Kosovës, e për këtë arsye ai thotë se nuk e përkrahin idenë e presidentit Thaçi që me shtetin serb të diskutohet për kufijtë e Kosovës.
Përkundër asaj që ai thotë se do të ishte shumë i lumtur nëse Presheva, Medvegja e Bujanovci do t’i bashkoheshin Kosovës, ai shprehet skeptik se kjo mund të ndodhë.
Qeriqi ka folur edhe për listat e veteranëve dhe dorëheqjen e prokurorit të shtetit Elez Blakaj që është marrë me këtë lëndë.
Ai bëri të ditur se ka qenë vetë dëshmitar dhe ka pasur besim që ky proces do të shkojë deri në fund.
Po ashtu, ai potencoi se prokurorit Blakaj i kanë dhënë përkrahjen dhe i kanë premtuar se do të bashkëpunojnë me të deri në përfundim të të gjithë procesit.
Sipas Qeriqit, numri i madh i veteranëve që kundërligjshëm kanë fituar statusin, e kanë dëmtuar shumë imazhin e luftëtarit të vërtet.