Janë hiç më pak se 21 mijë persona që figurojnë në listën e veteranëve të rrejshëm.
Emrat në këtë listë të publikuar ditë më parë nga Prokuroria Speciale, ka nxitur reagime të shumta.
Kësaj liste nuk i ka shpëtuar as veterani i brigadës 138, Samir Puza, i cili është shprehur i indinjuar me këtë renditje të emrave.
Puza kërkon të dijë se në çfarë të dhëna janë bazuar, për t’i dalë emri në këtë listë, pasi sipas tij kjo vërtetohet lehtë në filmimet dhe dëshmitë që ai posedon.
Lidhur me këto lista të publikuara kishte reaguar edhe ish-prokurori special, Elez Blakaj i cili specifikisht u mor me këtë hetim.
Ai ka deklaruar se këto lista nuk janë ato që ai vet kishte formuluar, pasi sipas tij janë edhe 2 mijë emra tjerë, të cilët janë shtuar dhe që për këtë arsye nuk jep asnjë përgjegjësi për ndryshimin e këtyre listave.
Reagime të tilla si kjo e Samir Puzës këto ditë ka pasur shumë. Madje disa edhe kanë kërcënuar prokurorin Blakaj, e disa të tjerë kanë paralajmëruar padi për prokurorinë.